Përmbajtja e Artikullit Kryesor

Abstrakt

Njëqind e dhjetë vjet më parë, më 1 dhjetor 1909, filloi veprimtarinë e saj Normalja e Elbasanit, “tempulli i ditunisë kombëtare”, siç e cilësoi drejtori i parë i saj, Luigj Gurakuqi. Themelimi i Normales shënon një ngjarje të madhe dhe pikë referimi në historinë e arsimit dhe të shkollës kombëtare shqipe. Ajo ishte shkolla e parë e mesme profesionale, pedagogjike shqipe në gjeografinë shqiptare. Ishte shkollë kombëtare, jo vetëm nga forma dhe përmbajtja, por edhe për faktin se nxënësit, mësimdhënësit dhe veprimtarët e saj ishin nga vise të ndryshme të Shqipërisë etnike dhe nga ngulimet e diasporës shqiptare. Ishte institucion iluminist me të cilin u bashkua dhe identifikua një komb i tërë. Normalen e Elbasanit, Luigj Gurakuqi fillimisht e përkufizoi si “shkollë të madhe për mësonjës”. Zyrtarisht u quajt Shkolla Normale e Elbasanit, u mbiquajt “Normalja e Xhuvanit” (për nder të drejtorit, ideatorit dhe profesorit shumëvjeçar të saj, Aleksandër Xhuvanit), ndërsa studiuesit e mëvonshëm, duke iu referuar kontekstit historik, funksionit dhe rëndësisë së saj për arsimin e shqiptar, atë e cilësuan “akademi pedagogjike”, përkatësisht “universiteti i parë shqiptar”.


Përpjekjet për themelimin e Normales së Elbasanit, si dhe për konsolidimin e veprimtarisë së saj, para dhe gjatë vitit të parë shkollor (1909/10), u pasqyruan gjerësisht edhe në organet e shtypit kombëtar të kohës, siç ishin: “Tomorri” (Elbasan), “Bachkim’ i Kombit” (Manastir), “Bashkimi” (Shkodër), “Korça” (Korçë), “Shkupi” (Shkup), “Liria” (Selanik), “Rrufeja” (Egjypt), “Flamuri” (Boston) etj. Veprimtarinë e Normales ato e përcollën në mënyrë të vazhdueshme, pothuaj të përditëshme.

Fjalëkyçet

Shkolla Normale Hajrullah Koliqi

Detajet e Artikullit

Si të Citoni
Koliqi, H. (2019). Pasqyrimi i themelimit të Normales së Elbasanit në shtypin kombëtar: (në 110-vjetorin e fillimit të punës së saj). Home, 2(4), 30-40. Retrieved from http://revistaalbanon.al/index.php/revistaalbanon/article/view/157

Referencat

    -