Revista “Albanon” është e përkushtuar për standarte të larta etike të artikujve dhe të të gjithë përmbajtjes së botuar, duke ndjekur praktikat më të mira perëndimore dhe ato shqiptare. Bordi shkencor i revistës dhe ekipi redaksional janë garantues të saktësisë, plotësisë dhe të cilësisë së të gjithë përmbajtjes së botuar në “Albanon”.

Ekipi botues dhe redaksional

Ekipi botues dhe redaksional i revistës ka përgjegjësinë për të përzgjedhur dhe për të marrë vendimin përfundimtar për botimin e një artikulli. Botuesi, kryeredaktori dhe redaktorët drejtohen në punën e tyre nga politika editoriale e revistës si dhe nga normat dhe aktet ligjore efektive në Shqipëri që lidhen me lirinë akademike, lirinë e fjalës dhe të shprehjes, privacinë, shpifjen, të drejtën e autorit, plagjiarizmin dhe aspekte të tjera normative apo ligjore. Për çështje të diskutueshme, redaktorët duhet të konsultohen me botuesin si dhe me anëtarët e bordit shkencor gjatë vendimmarrjes së tyre

Redaktorët e “Albanon” vlerësojnë dorëshkrimet për përmbajtjen e tyre intelektuale, pavarësisht nga raca, gjinia, orientimi seksual, besimi fetar, origjina etnike apo filozofia politike e autorit. Gjithashtu redaktorët janë përgjegjës që të verifikojnë dhe refuzojnë botimin e dorëshkrimeve me përmbajtje diskriminuese dhe gjuhë urrejtjeje racore, etnike, gjinore, fetare, apo seksuale.

Redaktorët e revistës garantojë ruajtjen e konfidencialitetit të  informacionit që lidhet me autorin dhe dorëshkrimin e tij. Ata janë të detyruar që të mos zbulojnë tek aktorë të tretë asnjë lloj informacioni lidhur me tematikën, përmbajtjen, idetë, vlerësimet e oponentëve apo ato të bordit shkencor për një dorëshkrim të pabotuar.

Për dorëshkrimet e paraqitura, redaksia e Albanon ka detyrimin që t’iu japë përgjigje autorëve brenda një afati 1-mujor.

Autorët

Autorësia e artikujve u takon atyre që kanë kontribuar për konceptimin, strukturimin, ekzekutimin, analizën dhe intepretimin e përmbajtjes së paraqitur për botim. Nëse ka më shumë se një autor, është përgjegjësi e bashkëautorëve që të përcaktojë autorin e parë ose renditjen e emrave në paraqitjen e autorësisë. Krahas bashkëautorëve, për korrektësi shkencore dhe akademike, duhet të konsiderohen dhe të përmenden edhe kontributorët, siç janë përshembull hartuesit e anketave, përpunuesit e të dhënave, etj.

Autori apo autorët duhet të deklarojnë në dorëshkrimin e tyre çdo lloj konflikti financiar apo konflikt interesi në mënyrë që të shmanget ndikimi i tyre në rezultatet, analizën apo përfundimet e arritura në artikull. Burimet e financimit të punimit, nëse ka të tilla, duhet të deklarohen.

Autorët kanë detyrimin që të paraqesin me saktësi dhe objektivitet të dhënat e mbledhura. Një dorëshkrim duhet të ketë referenca të mjaftueshme për të ndërtuar një argumentim shkencor. Citimet e sajuara apo të nxjerra nga konteksti do të konsiderohen shkelje etike dhe nuk do të pranohen.

Autorët duhet të garantojnë që dorëshkrimi i tyre nuk cënon në asnjë aspekt të drejtën e autorit të të tjerëve. Krijimet apo thëniet e të tjerëve duhet të citohen me korrektësi shkencore.

Autorët duhet të garantojnë dhe deklarojnë se punimi i tyre është origjinal dhe është shkruar prej atij vetë. Çdo lloj përgjegjësie lidhur me plagjiarizimin është e autorit dhe jo e revistës.

Autorët nuk duhet të paraqesin për botim apo ta botojnë dorëshkrimin e paraqitur tek “Albanon” në revista të tjera shkencore apo akademike.. Gjithsesi “Albanon” iu njeh atyre të drejtën e autorësisë dhe ata pas botimit në këtë revistë janë të lirë ta ribotojnë, ripërdorin apo ta rishpërndajnë krijimin e tij brenda ciklit të botimeve të tyre si libra, monografi, etj.

Redaktimi, korrektimi dhe botimi

Ekipi redaksional, veçanërisht redaktorët dhe korrektorët duhet të garantojnë respektimin e normave të gjuhës letrare shqipe si dhe të shmangin e të korrigjojnë gabimet e mundshme drejtshkrimore dhe sintaksore në tekstin përfundimtar të përgatitur për botim.

Varianti përfundimtar i redaktuar dhe i korrektuar, përpara se të botohet i dërgohet autorit për miratim. Nëse autori gjen gabime të tjera ose ka rezerva për ndonjë ndërhyrje redaktoriale në tekst, ai duhet t’ia komunikojë këto redaktorit përkatës dhe të diskutojë me të deri në arritjen e marrëveshjes dhe të miratimit përfundimtar nga palët.

Pas botimit, nëse autori gjen gabime apo pasaktësi të mundshme njerëzore apo teknike të shkaktuara për shkak të punës redaktoriale, redaksia është e detyruar të kërkojë ndjesë në numrin pasardhës dhe të botojë korrektimet përkatëse.

Gjithashtu, nëse pas botimit, paraqiten në redaksi ankesa apo vendime të strukturave apo enteve zyrtare që verifikojnë ligjërisht problemet e të drejtës së autorit, të plagjiarizmit dhe të kërkesave të tjera ligjore dhe kërkojnë heqjen e artikullit nga portali, redaksia është e detyruar ta bëjë këtë gjë. Redaksia nuk do të ndikohet në këtë drejtim nga burime të tjera jo ligjore dhe jo institucionale, si letrat anonime, komentet anonime apo vlerësimet personale të personave të tretë.