Të nxitur nga përvoja e përftuar ndërkohë nga botimi i revistës sonë, Albanon, përvojë që përfshin një hark kohor prej mëse dy vjetësh dhe tetë numrash të botuar, të nxitur nga prurjet e autorëve që rrokin e trajtojnë tema e objekte shkrimi nga më të ndryshmet, përtej hapësirës lokale e përtej dukurive thjesht me natyrë historike, kemi vendosur t’i japim revistës sonë në vijim një tjetër përmasë në lidhje me hapësirën gjeografike prej nga gjenden e trajtohen temat e ndryshme, pra një përmasë kombëtare ; dhe, në lidhje me hapësirën kohore të temave të trajtuara, një shtrirje më të gjerë, ku edhe e tashmja të zërë vendin e duhur, krahas së shkuarës sonë.

Përvoja e përftuar ndërkohë na nxit ta shndërrojmë këtë revistë në hapësirën e përshtatshme të debatit kulturor e shkencor të intelektualëve, studiuesve, dashamirëve të kulturës, shkencës e gjuhës shqipe, që vijnë nga e tërë hapësira jonë kombëtare. Po ashtu, kjo përvojë na nxit t’u përgjigjemi me gatishmërinë e duhur edhe studiuesve të rinj, të cilët e konsiderojnë/duhet ta konsiderojnë Albanonin një mundësi më shumë për të shfaqur idetë, mendimet, qasjet e tyre të guximshme në fushat ku ata studiojnë e kontribuojnë.

Duke synuar këtë status të ri të revistës Albanon, dhe duke parakuptuar interesimin më të gjerë të lexuesve për temat dhe problemet që do të jenë të pranishme në numrat e saj të ardhshëm, kemi menduar që publikimi i saj të jetë on line, me parametrat e duhur të këtij lloji botimi, të përputhshëm me ata të revistave të kësaj natyre në vende të ndryshme të botës.

Botimi i numrave në vijim do të ruajë e zgjerojë hapësirën e këndvështrimeve në rubrikat ekzistuese, që lidhen me historinë, traditën, etnografinë, arsimin, artin, kulturën, etj., e njëherazi do të mundësojë trajtesa të natyrës sociale, kulturore, filozofike, artistike e gjuhësore që lidhen me aktualitetin e të ardhmen.

Do të jemi të hapur t’i shtojmë e thellojmë këto tematika, ndaj le të kontribuojnë e aftësohemi më tej për t’i dhënë bashkëpunimit tonë vlerën e një komuniteti që mund të përfaqësohet më tej përmes një reviste që synon të përfaqësojë e kultivojë më tej vlerat në fushat përkatëse.

Në këtë botë të sotme të prirur drejt globalizmit, bëhemi më të denjë kur arrijmë të jemi njohës e interpretues të së shkuarës, përjetues kritikë e entuziastë të së tashmes. Përgatitemi, në këtë mënyrë, më mirë për të ardhmen.